Secondary Adv

Ibrahimaj: Hua me 0 interes për banesat deri në 60 mijë euro, subvencione dhe për qiratë

Qeveria propozon një model të ri banimi dhe skema kredie e qiraje të subvencionuar për familjet dhe profesionistët e rinj.

Një model i ri ndërtimi me përdorim të përzier pritet të zbatohet nga viti i ardhshëm, ku 30% e banesave do të destinohen për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm për shtresën e mesme dhe 30% për tregun e lirë. Skema u prezantua nga Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë një takimi me përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve dhe tregut imobiliar, në kuadër të reformimit të politikave të strehimit.


Sipas Ibrahimajt, modeli synon të krijojë një përzierje të kategorive të ndryshme të banimit, duke shmangur përqendrimin e një kategorie të vetme sociale në të njëjtat ndërtesa dhe lagje. Ndryshimi i politikave të strehimit lidhet edhe me zhvillimet e tregut dhe rritjen e çmimeve, veçanërisht në qytetet kryesore të vendit, ndërsa skemat e reja synojnë të shtrihen përtej kategorive tradicionale në nevojë.


“Ky ndryshim vjen qoftë si pasojë e nevojës që tregu ka, qoftë si pasojë e rritjes së çmimeve, kryesisht në qytetet kryesore të vendit, në qendrat e qyteteve kryesore të vendit, por edhe bazuar në gjithë modelet që ne kemi parë në vende të tjera, ku kujdesi i politikave të strehimit është jo vetëm për këto kategori në nevojë, por edhe për shtresa të tjera, të cilat mund të kenë nevojë për mbështetje”, u shpreh Ibrahimaj.


Kredi me 0% interes për apartamente deri në 60 mijë euro

Një nga produktet e reja parashikon mbështetjen e blerjes së apartamenteve përmes kredisë bankare, me subvencionim të normës së interesit. Për apartamentet me vlerë deri në 60 mijë euro, përfituesi do të marrë kredi me 0% interes. Për apartamentet me vlerë mbi 60 mijë euro, përfituesi do të përballojë interesin deri në 3%, ndërsa pjesa e normës mbi këtë nivel do të subvencionohet nga shteti.


Lidhur me ofertën e apartamenteve deri në 60 mijë euro, ministrja bëri të ditur se nga konsultimet paraprake me Shoqatën e Ndërtuesve është konfirmuar ekzistenca e banesave me sipërfaqe të vogla dhe çmime të përshtatshme në rrethinat e Tiranës.


“Ka pasur dhe debate, me pikëpyetjen: a ka të disponueshme të tilla apartamente në qytetin e Tiranës? Në fakt, ne e prezantuam këtë pas diskutimeve që patëm me Shoqatën e Ndërtuesve, ku në rrethinat e Tiranës kemi marrë garanci që ekzistojnë të tilla apartamente që janë me sipërfaqe të ulëta dhe me një çmim të ulët”, u shpreh ministrja.


Skema mund të shtrihet te apartamentet deri në 200 mijë euro

Reforma parashikon mbështetje edhe për blerjen e apartamenteve me vlerë mbi 60 mijë euro. Blerja do të mbulohet 100% përmes kredisë bankare, ndërsa shteti do të subvencionojë pjesën e normës së interesit mbi 3%. Kufiri maksimal i vlerës së apartamentit është ende në diskutim, me orientimin që të jetë rreth 200 mijë euro. Kjo skemë synon kryesisht të punësuarit që kanë nisur karrierën, si dhe çiftet dhe familjet e reja.


“Ne do të kemi limitin maksimal diku tek 200.000 euro dhe i dedikohet një kategorie tjetër, që janë të punësuar, që kanë filluar karrierën e tyre dhe ne duam t’i mbështesim”, u shpreh Ibrahimaj.


Qeveria propozon të mbulojë gjysmën e qirasë deri në 500 euro

Pjesë e politikës së re pritet të jetë edhe subvencionimi i qirasë për profesionistët dhe familjet e reja. Sipas propozimit, qiraja do të ketë një kufi deri në 500 euro, ndërsa qeveria do të mbulojë gjysmën e kësaj vlere.


“Ne duam që të fillojmë një politikë për subvencionimin e qirasë, e cila nuk do të ketë një kosto më të madhe se 500 euro, ku qeveria do të mbulojë gjysmën e kësaj vlere gjithashtu për profesionistët apo familjet e reja”, tha ministrja.


Skemat synohen të hapen në nëntor

Ibrahimaj bëri të ditur se synimi është që skemat e reja të hapen në muajin nëntor, pas përfundimit të ndryshimeve të nevojshme ligjore dhe akteve zbatuese. Përpara finalizimit të kuadrit ligjor, Ministria ka nisur konsultimet me aktorët e tregut për të vlerësuar ofertën konkrete të banesave që mund të përfshihen në programet e strehimit të përballueshëm.


“Para se të finalizojmë produktin ligjor që kemi punuar, donim ta diskutonim me ju, me qëllim analizimin e disponibilitetit të produkteve që ne synojmë të ndërtojmë”, u shpreh ministrja.


Sipas Ibrahimajt, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka analizuar përgjatë një viti programet europiane të strehimit dhe, mbi bazën e modeleve të aplikuara në vende të ndryshme, janë hartuar propozimet për reformën, si për produktet e reja të strehimit, ashtu edhe për arkitekturën institucionale që do të mbështesë zbatimin e tyre.


Në kuadër të reformës, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të ridimensionohet për të marrë një rol më të plotë në zbatimin e politikave të strehimit dhe integrimin e tyre me planifikimin territorial.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat